Aktivitetet e shëndetit publik justifikohen nga parimet e mëposhtme, parime këto tashmë të pranuara gjerësisht dhe të reflektuara në të gjitha politikat publike:
• Shëndeti është një e drejtë njerëzore fondamentale.
• Shëndeti është një “e mirë publike”.
• Qeveritë e kanë për detyrë të garantojnë shëndetin e popullatës.
• Shëndeti duhet të konsiderohet si një qëllim i rëndësishëm shoqëror nga të gjithë individët, të gjithë sektorët, dhe të gjitha institucionet e një vendi.
• Shëndeti i popullatës mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të komunitetit dhe të gjithë sektorëve të shoqërisë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë.
Dokumenti “Makro-ekonomia dhe Shëndeti: investim në shëndetësi për zhvillim ekonomik” (Organizata Botërore e Shëndetësisë, 2001) ofron në mënyrë sintetike të njëjtin argument, të servirur në një mënyrë pak më racionale duke theksuar se:
“Shëndeti duhet të jetë një qëllim absolutisht prioritar, ashtu sikurse është një edhe një ‘input’ themelor për zhvillimin ekonomik të shoqërisë”