Që në fillim duhet thënë se, përpjekjet për të përkufizuar shëndetin hasin në shumë vështirësi. Problemi qendror në dhënien e një përkufizimi bindës qëndron në faktin se, shëndeti konsiderohet nga njerëzit si diçka e “natyrshme”, apo “normale”, në përputhje me aforizmin:
“Njeriu fillon e kupton diçka rreth shëndetit vetëm kur ai (shëndeti) ‘mungon’”.
Në fakt, njerëzit flasin më shumë për “të kundërtën e shëndetit” (“sëmundjen”) sesa për shëndetin në vetvete. Pra, në praktikë njerëzit e kanë të vështirë të mendojnë rreth shëndetit pa e lidhur atë me të kundërtën e tij (sëmundjen).
Prandaj edhe, është më e lehtë të përcaktohet shëndeti duke u nisur nga e kundërta e tij. Kështu, mund të thuhet se:
“Shëndeti është mungesa e sëmundjes”.
Ndërkohë që, sipas një këndvështrimi krejt tjetër, shëndeti konsiderohet si
“Mirëqenie e plotë e organizmit”.
Këto dy përkufizime korrespondojnë me dy këndvështrimet madhore mbi shëndetin: i pari i referohet pikëpamjes apo teorisë “bio-mjekësore”, ndërsa i dyti i referohet përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 1946 sipas të cilit:
“Shëndeti është gjendja e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe shoqërore dhe jo thjesht mungesa e sëmundjeve apo e pa fuqisë fizike të organizmit”.